Shkoder : Rruga Isuf Sokoli, Nr 9, Tregu i Zdrales, prane Autoshkolles Bushati.
Tirane : Rruga Mihal Popi, Nr 5; Perballe Shkolles Vasil Shanto, prapa dyqanit Vodafone.
Tel: 0696973999
0695173103
Shenjat e jetës dhe veprimet e urgjencës
Gjeja e pare qe duhet bere kur jeni perballe nje njeriu pa ndjenja therrisni per ndihme dhe njoftoni me telefon urgjencen mjekesore ne 127. Me pas vazhdoni me hapat e meposhtme.
SHENJAT E JETËS
Shenjat jetës janë frymëmarrja dhe pulsi. Në situata urgjence, prioritet marrin çështjet e mëposhtme:
1. nëse janë rrugët e frymëmarrjes të viktimës të lira dhe në gjëndje që të kryejnë frymëmarrje, dhe
2. a qarkullon gjaku si duhet.
KALUESHMËRIA E RRUGËVE TË FRYMËMARRJES
RËNDËSIA E MARRJES SË AJRIT
Gjëja kryesore për këdo që jep ndihmën e parë është që të sigurohet që personi i dëmtuar merr frymë lirshëm apo ti mundësohet artificialisht një furnizim i përshtatshëm me ajër. Asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme se kjo. Mbi të gjitha, truri ka nevojë për oksigjen. Në temperatura normale, brenda pak minutash mund të ndodhin dëmtime të rënda të trurit deri në vdekje, n.q.s. një person nuk merr frymë. Kjo pamundësi frymëmarrjeje mund të vijë ose kur personi ka ndaluar së marri frymë ose kur janë bllokuar rrugët e kalimit të ajrit për në mushkri. Gjëja e parë kryesore është të kontrollosh frymëmarrjen.
Kontrolli i frymarrjes
Përdoret më tepër se një shqisë: 1. shiko për lëvizje të gjoksit apo barkut - konfirmo nëse janë të qeta dhe të rregullta. 2. dëgjo në gojën apo hundën e pacientit për zhurma të frymëmarrjes. 3. ju duhet të jeni të aftë të arrini që të ndjeni frymëmarrjen e viktimës në fytyrën tuaj.
N.q.s. i dëmtuari është duke marrë frymë lirshëm, atëherë ju shumë mirë mund ta drejtoni vëmendjen në evidentimin e dëmtimeve të tjera. Nëse i dëmtuari është pa ndjenja dhe plagët ja lejojnë, përdor pozicionin e sigurisë (shiko me ne fund te artikullit) për të siguruar që frymëmarrja e lirë të vazhdojë.
NËSE NUK MERR FRYMË
Kjo do të thotë që frymëmarrja është ndaluar dhe ju duhet që ti jepni ajër. Nëse gjoksi dhe barku janë duke lëvizur, por nuk ka lëvizje ajri nga jasht-brenda dhe nga brënda-jashtë nga goja apo hunda, atëherë rrugët e kalimit të ajrit janë të bllokuara dhe ju duhet ti pastroni ato. Duhet vepruar menjëherë që të rikthehet furnizimi me ajër. Thirr për ndihmë dhe sigurohu që është lajmëruar ambulanca.
Lirimi i rrugëve të frymëmarrjes
1. Rrugët e frymëmarrjes mund të bllokohen nga pozicioni i kokës (a).
2. Për ta rregulluar këtë, shtyje ballin prapa me njërën dorë dhe me dorën tjetër ngrije mjekrrën me dy gishta (b).
Kjo manovër nuk lejon gjuhën që të bllokojë pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes.
a) b)
Nëse akoma nuk merr frymë, atëherë mund të ketë një trup të huaj që ka bllokuar rrugët e frymëmarrjes.
Pastrimi rrugëve të frymëmarrjes të bllokuara
1.Ktheje kokën nga njëra anë duke e mbajtur ballin e shtyrë prapa dhe mjekrën lart (a).
2.Fut dy gishta të përthyer ne gojën e pacientit dhe pastroje atë duke kontrolluar për materiale të huaja (b) . Këtë bëje shpejt. Mos humb kohë.
3. Kontrollo frymëmarrjen.
4. Kontrollo pulsin (shih më poshtë)
♦ Nëse akoma nuk merr frymë, fillo menjëherë frymëmarrjen artificiale (shih me poshte)
♦ Nëse nuk ka as frymëmarrje dhe as puls, fillo ventilimin artificial dhe shtypjen e jashtme të gjoksit menjëherë (shih me poshte).
QARKULLIMI I GJAKUT
Pulsi tregon gjëndjen e qarkullimit të gjakut. Ai është vala e shkurtër përsëritëse e presionit, që kalon përgjatë arterieve sa herë që barkushet e poshtme të zemrës kontraktohen dhe nxjerrin jashtë gjak. Ritmi dhe cilësia e pulsit variojne në mënyrë të konsiderueshme, nga i ngadaltë, i plotë dhe i rregullt në të shpejt, të dobët dhe fibrilues. Një puls i shpejt dhe i dobët, karakteristik për gjëndjen e shokut (fq. 113-115) mund të jetë i vështirë që të ndjehet, sidomos në një situatë paniku ku zemra e vetë personit që po e jep ndihmën e parë është duke rrahur shpejt dhe pulsi i/e tij/saj mund të jetë më i fortë se ai i pacientit. Për këtë arsye, kontrolli i pulsit në vëndin e tij të zakonshëm, në kyq nga ana e gishtit të madh 1.5cm mbi palën e kyqit dhe 1.5cm brenda (a), mund të mos jetë e saktë. Kështu që ju gjithmonë duhet të kontrolloni pulsin karotid në qafë. Karotidet janë arterie të mëdha që kalojnë për lart në dy anët e pjesës së pasme të mollës së Adamit (laringu) (b).
Kontrolli i pulsit
1. Nëse është e nevojshme merr frymë thellë për të qetësuar veten. 2. Përdor vetëm majat e dy gishtërinjve. Vendosi ato në anë të mollës së Adamit pa shtypur në të. 3. Rrëshqiti majat gishtërinjve lehtë prapa drejt anës së mollës së Adamit drejt të thelluarës vertikale që formohet mes saj dhe muskulit në anë të saj (c) 4. Nëse nuk e ndjeni direkt pulsin, afroji dhe largoji pak majat e gishtërinjve nga molla e Adamit derisa të dëgjohet pulsi.
b)
MANOVRAT E URGJENCËS
Frymëmarrja artificiale
Synimi i saj është që ti japi shpejt viktimës furnizim me ajër. Ajri që ju nxirrni jashtë ka akoma sasi të mjaftueshme oksigjeni dhe për një njeri tjetër. Shumë jetë janë shpëtuar me “oksigjen të dorës së dytë”. Fillimi i ventilimit artificial duhet të jetë i menjëhershëm dhe ju duhet të siguroheni që oksigjeni është duke shkuar në vendin e duhur - thellë në mushkëritë viktimës. Është esenciale që ju të arrini që ti fryni mushkrite. Nëse ju nuk e shikoni gjoksin të ngrihet kur ju fryni ajër dhe të ulet kur ju ndaloni, ju nuk po e arrini atë.
- Duhet të kihet kujdes gjatë kryerjes së kësaj proçedure. Të sigurohemi që rrugët e frymëmarrjes janë të lira pasi ka patur raste vdekje kur objekti që ka shkaktuar bllokimin e rrugëve ajrore është shtyrë akoma më thellë në mushkëri.
Dhënia e frymëmarrjes artificiale
1. Kontrollo pulsin (shiko me lart) 2. Nëse nuk ka rrahje të zemrës fillo shtypjen e gjoksit (shiko me poshte) 3. Nëse ka puls, pastro gojën nga materialet e huaja 4. Me një dorë ngrija mjekrën lart, ndërsa me tjetrën shtyje kokën prapa. 5. Shtypi, mbylli vrimat e hundës (a) 6. Bëj një frymëmarrje të thellë, hape gojën tënde dhe puthite atë mbi gojën e pacientit (b). 7. Fryej fort brenda saj ndërkoh që shikon gjoksin a ngrihet apo jo (c). 8. Nëse ngrihet gjoksi, ktheje kokën dhe shiko a ulet më pas ai (d); jepi katër frymëmarrjet e para shpejt. 9. Kontrollo pulsin. 10. Përsëriti veprimet nga 5 deri tek 9 deri sa viktima të fillojë të marri frymë sërish.
Një alternativë e frymëmarrjes gojë-gojë (ku, për disa arsye, ajo nuk mund të bëhet) është ajo gojë-hundë. Mbullja gojën mirë dhe fryji në hundë.
Nëse gjoksi nuk ngrihet, bëj kontrollet e mëposhtme:
Kontrollo
1. Që hunda të jetë e mbyllur mirë 2. Që vija e bashkimit me gojën apo hundën të jetë hermetike. 3. Që ju jeni duke fryrë me forcën e mjaftueshme.
Nëse pas gjithë këtyre ju nuk ia arrini sërisht, atëherë ka një bllokim të rrugëve ajrore nga nje trup i huaj dhe duhet ti pastroni.
Shtypja e jashtme e gjoksit
Kjo procedurë përdoret kur nuk ka puls (fq.19). Shtypja e gjoksit është quajtur dhe “masazhi i jashtëm kardiak”, term ky jo shumë i përshtatshëm pasi zemra nuk mund të masazhohet nga jashtë por ajo mund të shtypet nga jashtë.
Zemra (a) zë pjesën më të madhe të hapsirës në qëndër të gjoksit mes dërrasës së kraharorit para dhe shtyllës kurrizore dhe muskujve rrethues nga prapa (b). Meqenëse pjesa e përparme e gjoksit është e lëvizshme, është e mundur të shtypet kocka e dërrases së kraharorit së bashku me brinjët dhe të shtypet zemra kundrejt shtyllës kurrizore. Zemra përmban valvula të cilat mundësojne kalimin e gjakut vetëm në
njërin drejtim. Çdo shtypje zemre e detyron gjakun të lëvizi në sistemin e qarkullimit saktësisht në të njëjtën mënyrë siç bën ai kur zemra tkurret (rreh) vetë spontanisht.
Pozicioni i zemrës
a
b
Me këtë tip shtypjeje të jashtme është e mundur të mbahet mirë qarkullimi. Për sa kohë që në të njëjtën kohë dhe ajri insulflohet në mushkëri, ekzistojnë mundësi të mira që lëkura të rimarri ngjyrën e saj të shëndetshme, pupilat e zgjeruara të ngushtohen, dhe të shfaqen shenjat e tjera të përmirësimit (shiko me poshte). Kur kjo proçedurë është e suksesshme, do të rifillojnë rrahjet spontane të zemrës dhe do të rikthehet frymëmarrja spontane. Shtypja e jashtme e zemrës pa frymëmarrjen gojë-gojë është e kotë. Synimi i kësaj manovre është të rivendosë qarkullimin e gjakut të pasur me oksigjen. Kështu që ju duhet që ta furnizoni atë me oksigjen.
Kryerja e shtypjes së jashtme të gjoksit
1. Shtrije viktimën me shpinë në një vend të fortë dhe qëndro në gjunjë anash tij 2. Gjej këndin e brinjëve në fund të gjoksit (a) vendose shputën e njërës dorë mbi kockën e dërrasës së kraharorit dy gisht mbi këndin e brinjëve.
3. Vendos mbi dorë dorën tjetër. Gishtat duhet të mbahen lart. Spostohu pak para në mënyrë që shpatullat tuaja të jenë drejt mbi gjoksin e pacientit. Mbaji krahët e tu drejt (b), të papërthyer. Shtyp vertikalisht poshtë (c) duke e ulur murin e përparshëm të kraharorit 4-5 cm, kjo është distanca tek të rriturit. Shtype gjoksin 2.5-4 cm tek fëmijët. Shtype gjoksin në këtë mënyrë 30 herë me një rritëm që është pak më i shpejtë se një shtypje për sekondë. 5. Kalo mbi kokën e viktimës dhe jepi dy frymëmarrje gojë më gojë (d). 6. Mos harro të shikosh lëvizjet e gjoksit.
c)
7. Përsërite ciklin e 30 shtypjeve të gjoksit dhe 2 frymëmarrjeve deri sa viktima të përmirsohet, deri sa të vijë ndihma apo deri sa ju të jeni i lodhur totalisht. 8. Kontrollo pulsin në qafë çdo 3 minuta.
Shenjat e përmirsimit
- Ngjyra blu, gri e zbehtë e lëkurës zhduket dhe lëkura e rimerr ngjyrën e saj të shëndetshme
- Pulsi rikthehet
- Viktima mund të rënkojë apo të lëvizi
- Frymëmarrja spontane mund të kthehet dhe ju hasni rrezistencë ndërkohë që fryni në gojën e pacientit.
RINGJALLJA NGA DY PERSONA
Kjo është më pak e lodhshme se sa kur është një i vetëm dhe mund të zgjasi më tepër. Është gjithashtu më efektive sepse mund të mbahet një rritëm më i mirë frymëmarrjesh dhe shtypjesh gjoksi. Jepet dy frymëmarrje pas çdo 15 shtypjesh gjoksi. Personi që rri tek koka kontrollon rrugët e frymëmarrjes, kryen frymëmarrjen gojë më gojë dhe kontrollon pulsin. N.q.s. proçedura zgjat shumë atëherë dy personat mund të ndërrojnë vendet me njëri-tjetrin herë pas here.
Tempizmi është i rëndësishëm. Mos bëni frymarrjen artificiale në një kohë që shtypet gjoksi nga shoku.
Kryerja e ringjalljes
1. Personi i parë duhet të sigurojë që rrugët e kalimit të ajrit janë të lira dhe nuk ka frymëmarrje 2. Fillo me dy frymëmarrje (a). 3. Kontrollo pulsin 4. Personi i dytë bën 15 shtypje gjoksi (b) 5. Jep nga dy frymëmarrje sa herë që shtypja e 15-te e gjoksit ka mbaruar 6. Përsëriti hapat 4 dhe 5 derisa viktima ta rimarri veten apo deri sa të vijë një ndihmë më e specializuar. 7. Kontrollo pulsin e qafës çdo dy minuta (c)
Pozicioni i sigurisë
Kur personat pa ndjenja apo gjysëm pa ndjenja lihen të shtrirë në shpinë, ata janë në rrezik tepër të madh. Ky rrezik vjen sepse muskujt janë të relaksur dhe reflekset normale që sigurojnë që rrugët e frymëmarrjes të jenë të pastra dhe të hapura mund të mos veprojnë. Pozicioni i sigurisë përdoret për të mënjanuar rrëziqet që ndodhin gjatë gjëndjes së të qënit pa ndjenja.
RREZIQET KUR PERSONI ËSHTË PA NDJENJA
Gjuha mund të bjeri prapa dhe të bllokojë fytin duke ndërprerë furnizimin me ajër.
Materiale të ndryshme, si gjaku apo të vjellat, mund të kalojnë në rrugët e frymëmarrjes, sepse hyrja e laringut nuk mund të mbyllet automatikisht kur bie në kontakt me trupat e huaj, ashtu siç duhej të bënte normalisht. Materiale të tilla mund të inhalohen, duke i bllokuar rrugët e frymemarrjes, duke dhënë si pasojë një formë të rëndë dhe të rrezikshme pneumonie. Shumë vdekje të panevojshme ndodhin në këtë mënyrë, thjesht nga mungesa e pak njohurive të nevojshme, për shembull, vdekjet tek personat e dehur që lihen të shtrirë në shpinë.
- Të mos përdoret pozicioni i sigurisë kur mendohet se ka dëmtime të shtyllës kurrizore apo kur i dëmtuari nuk është pa ndjenja dhe nuk ka të ngjarë ti humbi ato.
Megjithatë nëse rrugët e frymëmarrjes janë të bllokuara ato duhet të pastrohen menjëherë. Nëse një person pa ndjenja është e detyruar që të lihet në shpinë, atëherë sistematikisht kontrollo rrugët e frymëmarrjes.
Vendosja e një personi në pozicion sigurie
1. Qëndro në gjunjë në njërën anë të viktimës
2. Vendose krahun e viktimës që ndodhet nga ana juaj, në kënd të drejtë (a)
3. Kaloje krahun që ndodhet në të kundërt të anës tënde mbi gjoksin e viktimës, duke e kaluar pëllëmbën e këtij krahu në faqen e viktimës nga ana juaj (b)
4. Duke ia mbajtur dorën viktimës në faqën e tij, ngre gjurin që ndodhet më larg teje (c)
5. Duke ushtruar pak force mbi gjurin e viktimës, ktheje të dëmtuarin nga ana jote (d) 6. Në anën në të cilën është kthyer koka e viktimës, sigurohu që gjuri të qëndrojë në kënd të drejtë në lidhje me trupin (e)
7. Shtyje lehtë kokën prapa për të siguruar hapjen e rrugëve të frymëmarrjes dhe të kontrollohet frymëmarrja (f)
- Të mos lihet viktima pa mbikqyerje.